Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet pronari i lokalit pas dhunimit të turistëve spanjollë


Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me ngjarjen e së enjtes, ku u dhunuan pesë turistë spanjollë në Porto Palermo.

Policia ka arrestuar një person të dyshuar lidhur me ngjarjen. Ai është pronari i lokalit, Mihail Kokëdhima.

“Në lidhje me konfliktin me turistët spanjollë, arrestohet në flagrancë shtetasi:

M.K., 51 vjeç, banues në Sarandë.

Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 51 vjeçarit pasi:

Ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi M.K., për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup por më shumë është dëmtuar shtetasia spanjolle K.R.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”.“, thuhet në njoftimin e policisë.

Turistët kishin shkuar me jaht në Sarandë por më pas janë goditur me grushte nga pronarët e restorantit ku kishin zgjedhur të konsumonin drekën.

Sipas “Gazetës Panorama”, turistët fillimisht kanë hyrë në ambientet e restorantit dhe kanë porositur peshk të freskët.

Më pas kanë kërkuar ta shohin peshkun para se të gatuhej, për t’u siguruar për cilësinë por pasi kanë parë peshkun kanë mbetur të pakënaqur dhe kanë kërkuar të anulojnë porosinë.

Por pronarët e restorantit janë acaruar dhe i kanë ndjekur nga pas. Më pas kanë goditur automjetin e turistëve me sende të forta, nga ku ka shpërthyer më pas dhe konflikti fizik.

Ata dyshohet se kanë nxjerrë dhe armë të ftohta në konflikt e sipër, për të goditur turistët.

Mëngjesin e sotëm, ministri Blendi Klosi i ka ftuar turistët për një kafe pas incidentit.

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë🇦🇱, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtëpërdrejtë të qeverisë.”, shkruan Klosi i cili sikurse shihet në foto, i ka shkuar zonjës së familjes spanjolle me një buqetë me lule./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *