Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar dorëheqjen e Valdrin Pjetrit, dhe është shprehur se dorëzimi i Edi Ramës në Shkodër është një provë tjetër se PD është sot i vetmi institucion që po i bën qëndresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi”.
Bardhi shprehet se shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk ka mirëqenie, pa larguar nga karrigia kryeministrin Edi Rama.
“Rasti i Shkodrës provoi edhe njëherë se kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, pa përfshirjen e krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit e korrupsionit, është e duhura dhe rruga e vetme për një qeverisje të mirë në shërbim të qytetarëve dhe jo bandave”-shprehet Bardhi.
Deklarata e plotë:
“Përballë presionit të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi konfrimoi edhe njëherë, në mënyrë të përsëritur, se pushteti i tij mbijeton vetëm për shkak të lidhjeve me krimin, Edi Rama udhëroi drejtuesin e tij politik në Shkodër të tërhiqej.
Dorëzimi i Edi Ramës në Shkodër është një provë tjetër se Partia Demokratike është sot i vetmi institucion që po i bën qendresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi.
Çdo shqiptar e di se, njësoj si Arben Ndoka, Elvis Roshi, Mark Frroku, Armando Prenga e shumë të tjerë, edhe përfaqësuesi i Edi Ramës në Shkodër, përdori paratë e trafikut të drogës për të hyrë në politikë nëpërmjet Edi Ramës.
Largimi i Valdrin Pjetrit, i dënuar për trafik droge në Itali, nuk është një reflektim, as personal dhe as politik i tij apo i Edi Ramës. Nuk është as pendim dhe as kujtesë për krimin e kryer në të shkuarën.
Largimi i tij vjen me të njëjtën formë mashtrimi si ajo e kriminelëve të tjerë që ranë në rrjetën e dekriminalizimit, Elvis Roshi, Arben Ndoka, etj. Largimi i tyre është meritë vetëm e Ligjit të Dekriminalizimit dhe betejës së Partisë Demokratike për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Është meritë e qendresës së palëkundur të Partisë Demokratike, opozitës dhe opinionit publik, që disa kriminelë janë sot jashtë politikës.
Por, fatkeqësisht, fenomeni i kriminalizimit të shtetit vazhdon të qëndrojë, sa kohë arkitekti i lidhjes krim-politikë është Kryeministër. Asgjë nuk do të ndryshojë, as për Shkodrën dhe as për Shqipërinë, deri kur koka e krimit në politikë dhe ekonomi të jetë prerë, duke larguar Edi Ramën nga drejtimi i qeverisjes së vendit.
Rasti i Shkodrës provoi edhe njëherë se kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, pa përfshirjen e krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit e korrupsionit, është e duhura dhe rruga e vetme për një qeverisje të mirë në sherbim të qytetarëve dhe jo bandave.
Pa shkëputjen totale të lidhjes së politikës me krimin dhe pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, për shqiptarët nuk do të ketë mirëqenie, ndërsa vendi do të mbetet i izoluar, jashtë Bashkimit Europian.
Beteja jonë vazhdon derisa ëndrra për Shqipërinë si gjithë Europa të jetë realitet për çdo shqiptar.