Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar sërish për rastin e të zgjedhurit të PS-së për bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetrin.
Pasi Rama i doli në krah duke thënë se ajo çfarë ka bërë Pjetri në moshën 19-vjeçare, nuk e bën sot një kriminel, Basha thotë se vetë Rama është një kriminel i një rangu më të lartë.
“Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij.
Por është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës.
Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare!
Gjatë regjimit të tij, Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit.
Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën.”, shkruan Basha.
Komentin e tij Basha e ka shoqëruar me një video, ku tregohen të gjithë eksponentët e PS-së, nga deputetë e kryebashkiakë si Armando Prenga dhe Elvis Rroshi, që kanë patur probleme me ligjin.