Vendosni fjalën kyçe....

Rama i del në krah Valdrin Pjetrit: Ç’ka bërë kur ishte 19-vjeç, s’e bën sot kriminel


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Valdrin Pjetrit për t’u dorëhequr nga posti i kryebashkiakut, pas akuzave se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.

Në një seri postimesh në “Twitter”, Rama shprehet se Pjetri nuk është kriminel dhe se çfarëdo që të ketë bërë në moshën 19-vjeçare, nuk e bën sot një kriminel.

“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!”, tha Rama.

 Pas publikimit të dokumenteve të PD-së, që vërtetonin arrestimin dhe ndalimin e Pjetrit në Itali, Rama u duk sikur u distancua nga ai dhe ndërpreu marrëdhënier me të pasi shkroi se derisa e vërteta ligjore të dalë, “Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”. Por pas dorëheqjes së këtij të fundit, në njëfarë mënyre i del në krah. Por sërish I heq përgjegjësitë nga vetja dhe partia e tij, duke bërë të paditurin për penalitetet e Pjetrit.

“Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!

Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.

Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.”, shkruan Rama.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *