Rikthehen shpërthimet me tritol në zonën e Fushë-Krujë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm i është vënë një sasi eksplozive një parukerie në Nikël. Shpërthimi ka ndodhur në orën 01:00 të mëngjesit, ku për fat të mirë nuk ka patur njerëz në ambientet e parukerisë.
Biznesi rezulton nën pronësinë e shtetases me inicialet R.Sh.
“Sipas të dhënave zyrtare, më datë 16.08.2019, u referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit pasi rreth orës 01:00, në fshatin Nikël, Krujë është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në biznesin (parukeri) e shtetases R. Sh., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.“, thuhet në njoftimin e policisë.
Fshati Nikël konsiderohet si një nga zonat e nxehta të krimit në vend, pasi shpesh herë kanë ndodhur shpërthime me eksploziv apo krime të tjera në zonë.