Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është interesuar në blerjen e ishullit të Groenlandës nga Danimarka.
Lajmi ka qarkulluar së pari nga “Wall Street Journal”, për të cilin dy burime kanë thënë se Donald Trump e ka diskutuar idenë e tij për blerjen e ishullit më të madh në botë, gjatë një darke vitin e kaluar. Kjo pasi ai kishte dëgjuar se Danimarka haste vështirësi në suportin financiar për ishullin.
“Telegraph” shkruan se Trump e ka shumë seriozisht saqë është këshilluar me këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë. Duke sugjeruar blerjen e ishullit, Trump thuhet se pyeti të ftuarit e tjerë: “Ju çfarë mendoni për këtë?”
Por një aleat i Trump tha për “Associated Press” se presidenti e kishte diskutuar blerjen e ishullit, por nuk ishte serioz për këtë.
Ndërsa një ndihmës i kongresit republikan tha që Trump hodhi idenë e blerjes së Groenlandës në biseda me ligjvënësit, por ata nuk i kanë marrë seriozisht komentet e tij.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që një lider amerikan përpiqet të blejë ishullin më të madh në botë, një territor autonom i Danimarkës.
Në vitin 1946, SHBA i propozoi Danimarkës t’i paguante 100 milion dollarë për të blerë Groenlandësn duke diskutuar idenë e shkëmbimit të tokës në Alaska për pjesët strategjike të ishullit Arktik.
Ishulli i akullt ka diku rreth 56 mijë banorë, dhe edhe pse është teknikisht në ujëra të Amerikës Veriore politikat e saj të sigurisë udhëhiqen nga Kopenhagen.