Pas kërcënimeve të Pjerin Ndreut se do çonte kryedemokratin Lulzim Basha në gjykatë për shpifje, ka reaguar Partia Demokratike.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore i PD-së Ivi Kaso, tha se reagimi i Ndreut është tipik si i një trafikanti që ndjehet i sigurtë që bosi do e mbrojë.
Po ashtu ai thotë se Lulzim Basha do të shkojë në Lezhë, por jo në zyrën e Ndreut por pasi Lezha të çlirohet nga ai. Kaso nuk ngurron ta quajë Ndreun trafikant,
“Reagimi i Pjerin Ndreu është ai i një trafikanti, që ndjehet i sigurtë nga mburoja e bosit të trafikantëve dhe kriminëleve, i ulur në karrigen e kryeministrit të vendit.
Lulzim Basha patjetër që do të vijë në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj për të drejtuar vendin dhe për t’u hapur rrugë planeve të zhvillimit në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Por si fillim, Bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të shkojnë para drejtësisë me pranga në duar. Zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen!
Rrugët e Perëndisë për të bërë drejtësi janë të pafundme!”, tha Kaso.
Kryedemokrati Lulzim Basha publikoi sot një video përmes së cilës përmendte emrat e eksponentëve të PS-së që sipas tij janë të lidhur me krimin, mes tyre edhe Pjerin Ndreu.
“Pjerin Ndreu në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003. I larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjimet e manipulimit zgjedhor në dosjen 184, nuk dënohet, por kandidohet dhe mbrohet nga Edi Rama.”, thoshte Basha për Ndreun.
Ky i fundit u përgjigj duke kërcënuar Bashën se do e çojë në gjykatë për shpifje. Po ashtu ai e ftoi Bashën publikisht për një vizitë, për të folur për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e qytetit.