Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzimi i skelës ku humbën jetën 2 punëtorë – Arrestohen dy drejtuesit teknik, në kërkim administratori i firmës


Pas tragjedisë që ndodhi një ditë më parë në kryeqytet ku u rrëzuan nga skela pesë punëtorë, dy prej të clëve humbën jetën, policia ka vënë në pranga dy persona.

Të arrestuarit janë me detyrë drejtues teknikë të punimeve. Po ashtu është shpallur në kërkim edhe administratori i firmës që po kryente punimet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Faik Konica”, pranë parkut të Tiranës.

5 punëtorë kanë rënë nga skela, ndërkohë që po punonin në një pallat në rikonstruksion.

Në pallatin 10-katësh po bëheshin rikonstruksione konkretisht në pjesën e fasadës. Në punime e sipër është shkëputur skela në dy prej kateve të godinës, duke plagosur pesë punonjësit, dy prej të cilëve fatkeqësisht ndërruan jetë.

Viktimat janë identifikuar si Ergys Brahimaj 31 vjeç dhe Orjan Kodra 36 vjeç. Genti Bardhi 29 vjeç, Altin Marku 36 vjeç dhe Euglidios Lika 34 vjeç ndodhen në Spitalin e Traumës ku janë vënë në mbikëqyrjen intensive të mjekëve.

DETAJET E POLICISË

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Faik Konica”, në përfundim të veprimeve hetimore, të kryera nga ana e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në Tiranë nën drejtimin e  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”, dhe konkretisht:

  •             Xh. T. 41 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve në firmën “Xhimi”.
  •             I. B. 44 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit  P. S., me detyrë administrator i firmës skela “Syla”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”.

Në rrugën “Faik Konica” në pallatin Nr. 2, firma “Xhimi” me administrator e Drejtues Teknik punimesh, shtetasin Xh. T., ka kryer punime në fasadën e jashtme të pallatit për veshjen me sistemin termoizolues (kapot). Po në këtë pallat, firma skela “Syla” me administrator shtetasin P. S. dhe Drejtues Teknik të punimeve e montimit të skeles Inxhinierin I. B., ka montuar skelën metalike për punimet në fasadë.

Si pasojë e punimeve në këtë pallat, rreth ores 15.00 është rrëzuar skela metalike, e për pasojë kanë humbur jetën shtetasit E.B., 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën “Xhimi, si dhe shtetasi O.K, 36 vjeç, punëtor i firmes skela “Syla”.

Po nga rrëzimi i skelës janë plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën, shtetasit G.B punëtor ndërtimi i firmës “Xhimi”, E.L dhe A.M, punëtor i firmës skela “Syla”.

Gjithashtu për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës “, për punonjësit e Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi punonjesit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *