Përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të riemërtuar statujat publike të figurave historike, bazuar në një marrëveshje me Greqinë fqinje, kanë pasur një fillim të vështirë.
Gjatë natës, si pasojë e disa akteve të vandalizimit, u hoqën pllakatet e instaluara të enjten në tre statuja në Shkup, të mbretit të lashtë grek Aleksandrit të Madh dhe familjes së tij, të cilat sqaronin se ato i përkasin historisë antike greke. Një prej pllakateve të hequra u rikthye më vonë gjatë ditës së premte. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim, raporton Zëri i Amerikës.
Greqia ka akuzuar për një kohë të gjatë vendin fqinj, që më parë quhej “Maqedoni”, se përpiqej për të përvetësuar kulturën e lashtë greke si dhe për pretendime territoriale ndaj pjesës veriore të Greqisë.
Shkupi i ka mohuar këto pretendime, por në të njëjtën kohë qeveria e mëparshme, konservatore ngriti disa statuja të Aleksandrit të Madh dhe familjes së tij në zona të njohura publike.
Në një zhvillim të rëndësishëm, me qëllimin për të normalizuar marrëdhëniet pas rreth 30 vitesh, vendi u riemërtua këtë vit si Maqedonia e Veriut. Nga ana tjetër Greqia ra dakord ta mbështesë atë në proceset për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Rreth 10 statuja në të gjithë Maqedoninë e Veriut po emërtohen sërisht.