Kreu në largim i komisionit evropian, Jean-Claude Juncker, është detyruar që të ndërpresë pushimet për t’iu nënshtruar një operacioni urgjent.
Lajmi është konfirmuar nga zyra e tij e shtypit.
“Jean-Claude Juncker iu desh të ndërpresë pushimet në Austri për arsye mjekësore. Ai u dërgua përsëri në Luksemburg, ku do t’i nënshtrohet një kolecistektomie urgjente [heqjes kirurgjikale të fshikëzës së tëmthit]”, tha zyra e tij, citon “The Guardian”.
Ish-kryeministri i Luksemburgut, 64-vjeçar, ka qenë subjekt i spekulimeve për vite me radhë lidhur me shëndetin e tij. Ai do të tërhiqet si kryetar i komisionit më 31 tetor dhe do të zëvendësohet nga konservatorja gjermane Ursula von der Leyen, gruaja e parë që do të drejtojë institucionin që propozon ligje të BE-së, politikat e ekonomive të anëtarëve të bllokut dhe negocion marrëveshje tregtare në të gjithë botën.