Pas vdekjes së Jeffrey Epstein, duka i Jorkut është rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e mediave lidhur me akuzat ndaj tij se ka kryer marrëdhënie intime me një adoleshente, të kontraktuar si skllave seksi nga miku i tij miliarder.
“Daily Mail” ka publikuar sot disa foto dhe një video të vitit 2010, kur princi Andrew shfaqet në derën e shtëpisë së Epstein, shtëpia e konsideruar shpeshherë edhe si “shtëpia e horroreve”.
Princi Andrew shfaqet duke u fshehur pas derës, pasi përshëndet përzemërsisht një brune që largohet nga shtëpia luksoze e Epsteinit në Manhatan.
Edhe pse duket tepër i qetë, princi për një moment hedh vështrimin përreth, për t’u siguruar që nuk po e sheh njeri. E në fakt dikush po i filmonte.
Videoja është filmuar në 6 dhjetor 2010, dy vite pasi Epstein ishte dënuar për marrëdhënie seksuale me të mitur.
Një orë para se të xhirohej videoja e princit Andrew, Epstein kishte dalë nga shtëpia nën shoqërinë e një vajze bjonde.
Duka i Jorkut i ka mohuar me ngulm pretendimet e Virginia Roberts se ajo kishte bërë seks me të në tre raste, e para kur ishte 17 vjeç dhe një herë në rezidencën tani famëkeqe në Manhattan, ku janë realizuar dhe këto pamje.
Epstein vrau veten në qeli në 10 gusht, pasi po qëndronte në pritje të nisjes së gjyqit kundër tij. Vrasja e tij ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te princi Andrew.