Inspektoriati i Shtetëror i Punës ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të pak ditëve më parë, ku dy punëtorë humbën jetën pasi u rrëzuan nga skela.
Drejtori i Përgjithshëm i ISHP-së, Arben Seferaj tha se janë në proces hetimi ndaj dy kompanive.
“Inspektorati i punës ka vlerësuar sektorin e ndërtimit si sektor me risk shumë të lartë për humbje jetë. Kontrollet duhet të intensifikohen për të parandaluar ngjarje të tilla. Jemi në proces hetimi ndaj 2 kompanive. Nga viti 2015 subjekti Xhimi nuk ka asnjë inspektim. Ndërsa Syla është inspektuar 16 herë, i janë lënë vazhdimit detyra për të realizuar që lidhen me sigurinë dhe 1 herë i është vënë gjobë”, tha Seferi.
Mes të tjerash, drejtori i ISHP-së zbuloi të dhëna tronditëse lidhur me numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën në punë për gjatë 6 muajve të fundit.
Ai tha se janë 99 raste të aksidenteve në punë, ku 25 janë me pasojë vdekje.
“Punëtorët që humbën jetën ishin të siguruar. 6 muajt e fundit kanë ndodhur 99 aksidente në punë dhe 25 punëtorë kanë humbur jetën.”, tha Seferi.
Sipas tij, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë inspektuar dhe hetuar 114 subjekte, ku janë vendosur 29 dënime administrative dhe 34 gjoba.