Pas mbledhjes së sotme për ngritjen e Këshillit Bashkiak, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Ai ka përshëndetur protestën e zhvilluar jashtë ambienteve të bibliotekës së universitetit ‘Luigj Gurakuqi’, ku u zhvillua mbledhja.
Basha tha se qëllimi i “betejës” së sotme siç e quan ai protestën në Shkodër, është largimi i kriminelëve nga institucionet shtetërore.
“Beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e Hajdutit Psiqik.
Qëllimi ynë është t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit. Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve. “, thotë Basha.