Konfirmohet Briseida Kadia si kryetare e Këshillit Bashkiak qytetit të Shkodrës, në mbledhjen që po mbahet në ambientet e bibliotekës së universitetit ‘Luigj Gurakuqi’.
“Ndihem e nderuar të marr këtë pozicion. Dua të falenderoj PS, deputetët dhe këshilltarët për besimin”, tha Kadia gjatë fjalës së saj. Po ashtu ajo u zotua se do të tregohej “e drejtë dhe e paanshme” gjatë ushtrimit të detyrës si kryetare e Këshillit Bashkiak.
Ajo është zgjedhur me 47 vota pro, ndërkohë që dy vota kanë rezultuar të pavlefshme.
Ndërkohë që në ambientet e bibliotekës konstituohet këshilli bashkiak, jashtë qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike vijojnë të protestojnë. Sakaq Valdrin Pjetri nuk është mandatuar si kryebashkiak për shkak të dorëheqjes.
Kryetarja ende në detyrë e Këshillit të Qarkut Shkodër, Greta Bardeli, e cilësoi nul mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vendimet e marra. Zonja Bardeli e mbajti këtë qendrim në sallën e mbledhjes, duke e cilësuar atë si një akt antikushtetues.
Përpara se të braktiste këtë mbledhje që cilësohet ilegjitime, zonja Bardeli deklaroi se anëtarët e të ashtuquajturit Këshill po konsumojnë disa vepra penale, pasi po tentojnë të ngrejnë institucionet pa zgjedhje dhe në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës.
Ajo deklaroi se të gjithë ata që e kanë arkitektuar mbledhjen-farsë të ditës së sotme shumë shpejt do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, gjithashtu e ka cilësuar mbledhjen e sotme si antiligjore./Hashtag.al