Ndërkohë që tensionet mes Indisë dhe Pakistanit janë agravuar për shkak të heqjes së autonomisë së Kashmirit, ish-bashkëshortja e kryeministrit pakistanez Imran Khan i hedh benzinë zjarrit.
Sikurse shkruan “RT“, ish-gruaja e kryeministrit e quajtur Reham pretendon se ai e dinte që më parë për planet e Indisë për të shfuqizuar autonominë e Kashmirit dhe madje u përpoq të negocionte për një “marrëveshje” me New Delhi.
Më parë këtë muaj, India revokoi statusin e vetëqeverisjes dhjetëvjeçare të Jammu dhe Kashmirit, që i ka kontrolluar që nga fundi i viteve 1940.
Pakistani, i cili e konsideron të gjithë Kashmir-in si territorin e tij, e kritikoi rëndë këtë veprim dhe u zotua të kërkojë mbështetje nga OKB.
Reham thotë se kryeministri i kishte ditur planet e New Delhi për t’i hequr Kashmirit autonominë dhe madje u përpoq të bënte një “marrëveshje” me udhëheqësin indian Narendra Modi.
“Unë do të thoja që Kashmir është shitur”, tha ajo të martën. Gazetarja dhe autorja britanike-pakistaneze, Reham Khan ka qenë e martuar me Imran për 10 muaj në 2015.
“Kryeministri juaj Imran Khan, ditën kur ai do të jepte një deklaratë politike mbi Kashmirin, ai u ngrit për të thënë se e dinte që Modi do ta bënte këtë. Imran tha: ‘Unë e dija që kur e takova në Bishkek gjatë ngjarjes së Organizatës së Bashkëpunimit Shanghai në qershor dhe ai ishte i vrazhdë me mua.’ Dhe kur i dinit të gjitha këto dhe nuk bëtë asgjë, atëherë do të thotë se nuk jeni në gjendje të bëni asgjë, ose jeni shumë i dobët.”, janë fjalët e Reham Khan.
Kjo nuk është hera e parë që Reham e ka kritikuar ish-burrin e saj. Në një intervistë për gazetën Hindu, gazetarja e quajti Imran Khan “kukullën ideale” të ushtrisë, i cili sipas saj nuk ka njohuri për shumë çështje komplekse.