Vendosni fjalën kyçe....

Macron e provokon, por Putin s’ja përton: S’duam protesta me viktima si në Francë


Presidenti rus Vladimir Putin është përplasur sot me homologun e tij francez Emmanuel Macron, të cilit i ka thënë se ai nuk dëshiron që protesta të ngjashme me ato “jelekëve të verdhë” në Francë, të shfaqeshin edhe në Rusi.

Kjo sjellje e Putinit erdhi si reagim ndaj Macron, i cili e priti homologun rus në rezidencën e tij verore në jug të Francës pesë ditë përpara takimit të Grupit të 7-shes, synon t’i tregojë Moskës se nuk po injorohet pavarësisht se është përzënë nga ky grup, pas aneksimit të Krimesë në 2014-n.

Macron pavarësisht se bisedimet përqendroheshin në krizat ndërkombëtare, u përpoq të merrej me situatën e brendshme ruse.

Moska është tronditur nga protestat javore për më shumë se një muaj pasi autoritetet ndaluan kandidatët e opozitës të kandidonin në zgjedhjet e shtatorit.

 “Këtë verë ne bëmë thirrje për liri për të protestuar, për liri të fjalës, mendimit e për të konkuruar në zgjedhje, gjë që duhet të respektohet plotësisht në Rusi si për çdo vend tjetër anëtar të Këshillit të Evropës”, tha zoti Macron gjatë një konference të përbashkët për shtyp përpara takimit, siç shkruan “The Moscow Times”.

Ndërsa fillimisht, presidenti Putin u duk sikur e injoroi komentin, ai e kundërshtoi menjëherë zotin Macron pas një pyetjeje vijuese rreth protestave në Moskë. Ai tha se gjërat po trajtoheshin në përputhje me ligjin, duke shtuar se nuk donte që situata të përfundonte si në Francë.

“Ne të gjithë i dimë ngjarjet e lidhura me të ashtuquajturit ‘jelekët e verdhë’, gjatë protestave të të cilëve, sipas llogaritjeve tona, u vranë 11 persona dhe 2500 u plagosën”, tha zoti Putin.

“Ne nuk do të dëshironim që ngjarje të tilla të ndodhnin në Moskë dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar situatën e brendshme politike dhe çdo veprim ka qenë në mënyrë rigoroze brenda kuadrit ligjor”, shtoi ai.

Por Presidenti Macron tha që krahasimi me Francën ishte i pasaktë, pasi siç tha ai, protestuesit e “jelekëve të verdhë” mund të marrin pjesë në zgjedhje.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *