Vendosni fjalën kyçe....

Policia mburret me aksionin: Zbritëm 1600 veta për të kapur 133 bimë, s’arrestuam asnjë (VIDEO)


Që prej ditës së djeshme, 1 600 efektivë kanë ushtruar kontrolle masive të territorit duke goditur dy raste të kultivimit të drogës. Policia e Shtetit mburret me aksionin duke publikuar edhe një video në rrjetet sociale.

Sipas policisë, një rast i kultivimit të drogës është shënuar në Malësinë e Krujës ku janë zbuluar 93 bimë kanbis ndërsa rasti i dytë është shënuar në Vlorë, ku janë zbuluar 40 bimë të tilla.

Monitorimi i territorit po kryehet edhe nga ajri nga ana e Guardia di Finanza, e cila duke bashkëpunuar ngushtë me grupet e tjera arrin të identifikojë hapësirat e mbjella me kanabis. Në njoftimin e publikuar, nuk flitet për asnjë të arrestuar, të ndaluar, apo të dyshuar.

Detajet e policisë:

Kontroll masiv në të gjithë territorin për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Në kontroll të angazhuara Drejtoritë Vendore të Policsë, Polica Kufitare, Forcat e Lëvizshme Operacionale, nën drejtimin e grupeve të posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

1 600 forca policie, prej ditës së djeshme dhe paradites së sotme, kanë ushtruar kontroll masiv të territorit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, për marrjen e masave për kontrollin  periodik të territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit, mbajtes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i kontrollit, në të gjithë vendin janë evidentuar dy raste, një rast në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis. Njëkohësisht, çdo Drejtori Vendore të Policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e ka pajisur me dron, me qëllim kontrollin sa më të mirë të territorit, edhe në vendet ku forcat e policisë e kanë të vështirë të kontrollojnë për shkak të terrenit.

Po në kuadër të kontrollit të territorit, vijon monitorimi nga ajri nga ana e Guardia di Financa, duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me grupet e konrollit nga toka, me qëllim verifikimin e çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike. Kontrolli i territorit dhe monitorimi nga ajri do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *