Vendosni fjalën kyçe....

Greqia nën presionin e SHBA-së, nuk do ndihmojë cisternën e Iranit


Greqia ka thënë se nuk do ta ndihmojë një cisternë iraniane, e cila nga porti i Gjibraltarit besohet se po shkon drejt një porti grek. Zëvendës-ministri i Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis i tha televizionit grek se Athina ishte “përballur me presion” lidhur me cisternën, për të cilën Uashingtoni pretendon se është e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, raporton REL.

Varvitsiotis shtoi se cisterna është shumë e madhe për të hyrë në ndonjë nga portet e Greqisë, dhe nuk mund të shkarkojë ligjërisht naftën e saj të papërpunuar në vlerë 130 milion dollarë në rafineritë e Bashkimit Evropian. Cisterna u konfiskua më 4 korrik nga marinsat britanikë, jashtë Gjibraltarit, pasi dyshohej se po transportonte naftë në Siri.

Gjibraltari tha se kjo paraqet shkelje të sanksioneve të BE-së. Pas disa javësh, Gjibraltari e liroi transportuesin, si dhe kundërshtoi një urdhër për ndaljen e anijes nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara më 19 gusht lëshuan një paralajmërim për Greqinë, si dhe për të gjitha portet në Detin Mesdhe, në lidhje me ofrimin e ndihmës për cisternën iraniane, raportoi Reuters, duke cituar një zyrtar të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Këto mosmarrëveshje kanë ardhur mes tensioneve në rritje midis Iranit dhe Perëndimit, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, që kanë përfshirë disa incidente brenda dhe rreth Gjirit Persik, nga i cili transportohet rreth një e pesta e dërgesave ndërkombëtare të naftës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *