Vendosni fjalën kyçe....

Greva në aeroportin e Prishtinës, pezullohen nëntë prej punëtorëve


Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, edhe sot protestojnë që nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 14:00.

Ndërkohë mediat në Kosovë shkruajnë se 9 prej punonjësve protestues janë pezulluar nga puna. Sipas një mesazhi elektronik të dërguar në adresë të nëntë grevistëve, atyre iu është ndaluar qasja në Zonat e Kufizuara të Sigurisë dhe iu janë pezulluar ID-kartelat e aeroportit, njofton Klan Kosova.

Rreth këtyre zhvillimeve të fundit, për shkak të sigurisë, prezente në ambientet e aeroportit janë parë edhe KFOR-i, të cilët gjenden në hollet e oborret e ANP-së për thuajse tre ditë.

Ndërkohë në një prononcim për Gazetën Express, kryetari i Sindikatës së Aeroportit, Bashkim Latifi, ka thënë se rreth 700 punëtorë janë në grevë dhe se nuk do ta fillojnë punën pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Sipas tij, kompania LIMAK që ka nën menaxhim Aeroportin e Prishtinës, u ka thënë sindikalistëve se nuk i njeh ligjet e Kosovës, të cilave u janë referuar punëtorët.

Pasi u tha se janë anuluar dy fluturime nga ekipi drejtues ka një version tjetër. Sipas menaxhmentit të aeroportit, nuk janë mbyllur operimet dhe se po vazhdojnë të kryhen të gjitha fluturimet.

“Mirësisht informojmë udhëtarët tanë se ANP ‘Adem Jashari’ nuk ka mbyllur operimet, por vazhdon të procesojë të gjitha fluturimet dhe udhëtarët”, thuhet në në njoftim të ANP-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *