Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se brenda 30 ditësh, mund të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjet rreth daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. Merkel fjalën e kishte për çështjen e kufirit irlandez, që paraqet edhe pikën kryesore të mosmarrëveshjeve ndërmjet Londrës dhe Brukselit.
Duke folur në një konferencë për media, së bashku me kryeministrin britanik, Boris Johnson, ajo theksoi se i takon Britanisë së Madhe të ofrojë një plan të zbatueshëm. Merkel tha se plani kërkon një “qartësi absolute” mbi marrëdhëniet e ardhshme pas Brexitit, midis Britanisë së Madhe dhe BE-së.
Kryeministri Johnson, tha se ekziston një “hapësirë e mjaftueshme ” për të arritur një marrëveshje të re.
BE-ja ka thënë vazhdimisht se marrëveshja e Brexit-it, e negociuar nga ish-kryeministrja, Theresa May, nuk mund të rinegociohet.
Kryeministri Johnson ka këmbëngulur se Britania e Madhe dëshiron të largohet nga BE-ja me një marrëveshje të rinegociuar të tërheqjes, por që sipas tij, edhe nëse nuk do të ndodhë diçka e tillë, vendi do të dalë nga BE-ja më 31 tetor.