Vendosni fjalën kyçe....

Përfituan 3.7 milionë euro nga kreditë fiktive, arrestohen drejtoresha dhe punonjësit e një fondacioni


Shtatë persona janë vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar një shumë prej 3.7 milionë euro nga kreditë  fiktive.

Sipas policisë, grupi i goditur është pjesë e stafit të një fondacioni për dhënie kredie fiktive, që përmes kësaj skeme synon të fitonin miliona euro.  Të arrestuarit janë drejtoresha e fondacionit, sekserët, oficerët dhe ish-oficerët e kredive.

Ata akuzohen për penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, ndërsa përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milionë euro.

DETAJET E POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kredia”

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Operacioni për goditjen e një grupi, pjesë e stafit të një fondacioni për dhënie kredie fiktive me qëllim përfitimin.

Përfitimet nga kreditë fiktive, në total, deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Në pranga 7 persona dhe një është shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e një fondacioni për dhënie kredie, se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas një punë hetimore njëjavore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbrëmjen e djeshme, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Kredia”, duke e finalizuar me ndalimin e 7 personave dhe konkretisht:

  1. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.
  2. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
  3. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

  1. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
  2. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.
  3. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.

Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *