Një burrë në Suedi është shtruar në spital pasi është kafshuar nga një krokodil që dikur i përkiste ish-liderit të Kubës, Fidel Castro.
Siç shkruan “BBC“, 70-vjeçari kishte marrë pjesë të martën në një festë për karavidhet, në Akuariumin Skansen në Stokholm.
Sipas policisë, burri kishte vendour “krahun në anën e gabuar të xhamit të sigurisë” në momentin kur u kafshua.
Kafsha është një nga dy krokodilët kubanezë që mbahen në akuarium. Të dy iu dhuruan kozmonautit rus Vladimir Shatalov nga Fidel Castro në vitet ’70.
Shefi i akuariumit, Jonas Wahlstrom, tha se i moshuari po mbante një fjalim kur ndodhi incidenti.
Të pranishmit përdorën peceta për të ndaluar gjakderdhjen ndërsa prisnin ambulancën. Wahlstrom tha që akuariumi do të vlerësonte mbylljen e kafshëve, për t’u siguruar që ky incident të mos përsëritet.
“Asgjë e tillë nuk ka ndodhur më parë me këta krokodilë, ne i kemi pasur ato për më shumë se 40 vjet”, tha Shefi i Akuariumit.
Historia e krokodilëve
Dy krokodilët, Castro dhe Hillary, iu dhuruan kozmautit rus Vladimir Shatalov në vitin 1978 nga Fidel Castro. Sipas gazetës spanjolle “La Vanguardia”, Shatalov i dhuroi ato në kopshtin zoologjik të Moskës kur ato u bënë shumë të mëdha dhe të rrezikshme.
Kështu dy krokodilët iu dhuruan akuariumit në Stokholm në vitin 1981, pasi atje kishin mundësi më të mira për t’u kujdesur për kafshët.
Në vitin 2015, Wahlstrom personalisht mori 10 nga pasardhësit e krokodilëve në Kubë si pjesë e përpjekjeve të shtetit për të rritur numrin e llojeve të rralla.