Sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën për shpërndarjen e legjislaturës aktuale, gjë e cila do t’i hapë rrugë vendit drejt shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Siç shkruajnë mediat në Kosovë, që pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, subjektet politike kanë shprehur tashmë publikisht qëndrimin për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.
Në seancën e sotme duhet të jenë të pranishëm 93 deputetët që nënshkruan për thirrjen e kësaj seance të cilët duhet të votojnë për atë që kanë nënshkruar.
Pro shpërndarjes duhet të votojnë së paku 2/3 e deputetëve ose 80 vota, e cila e përcakton edhe kuorumin.
Sipas Kushtetutes së Kosovës, në raste të shpërndarjes së Kuvendit zgjedhjet mbahen jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë më pas.