Të paktën pesë persona kanë humbur jetën gjatë një koncerti të artistit algjerian, Abderraouf Derradji i njohur me emrin e artit Soolking.
Po Soolking, i njëjti reper i cili ka bashkëpunuar me këngëtaren shqiptare Dhurata Dora për hitin e tyre “Zemër”.
Në koncertin që është transmetuar live në televizionin algjerian ishte e ftuar edhe këngëtarja shqiptare Dhurata Dora.
“BBC” shkruan se gjatë hyrjes së rrëmujshme të fansave u shemb njëra nga hyrjet dhe njerëzit nisën të shtypin njëri-tjetrin.
Njëzet e një njerëz u plagosën gjatë hyrjes së rrëmujshme dhe u dërguan në spital, por koncerti u zhvillua gjithsesi dhe u transmetua drejtpërdrejt në television.
Portali vendas “TSA” raportoi se nga pesë të rinjtë e vrarë, tre ishin meshkuj dhe dy femra.
Një gazetare që ishte në koncert, Linda Chebbah, tha për BBC se që në fillim dukej sikur diçka nuk ishte në rregull.
“Kishte shumë njerëz për këtë stadium. Në fushë, njerëzit ishin duke shtyrë për pak hapësirë. Kishte aq shumë njerëz në koncert, sa nuk çuditem që ka ndodhur një aksident.”
Muzikanti algjerian Soolking nuk ka komentuar ende mbi incidentin në mediat sociale. Po ashtu as Dhurata Dora.
Në rrjet u publikuan edhe fotografitë e ekipeve të emergjencës që u vinin në ndihmë të plagosurve.
Në videon e mëposhtme, Dhurata Dorën mund ta ndiqni në orën 01:12:52.
https://www.youtube.com/watch?v=aCSneKrgyTc