Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, në mënyrë unanime sot ka zgjedhur Kadri Veselin si kandidat të PDK-së për kryeministër.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, në një konferencë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, tha se Kadri Veseli është personalitet i dëshmuar, njëri nga themeluesit e UÇK-së, një njeri që ishte i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ne zgjodhëm një njeri që jep shpresë për ta ndërtuar një të ardhme këtu. Zgjodhëm njeriun që mund ta udhëheqë një luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Kadri Veseli tashmë ka vepruar kundër korrupsionit dhe nepotizmit.
Ai ka bërë reforma të guximshme, duke nisur nga brenda PDK-së. Sepse, për ta ndryshuar vendin duhet që ndryshimin ta fillojmë nga vetvetja. Ne e kuptojmë se janë bërë gabime në të kaluarën. E kuptojmë që kjo ka bërë që shumë qytetarë ta humbin besimin në politikë. Sidoqoftë, mos harroni, politika e gabuar ka shkaktuar probleme, por politika e duhur është mënyra e vetme për t’i zgjidhur ato”, ka thënë Kuçi.