Qindra mijëra sirianë janë kthyer në shtëpi në pjesë të Sirisë të pastruara nga grupet terroriste në operacionet ushtarake turke përtej kufirit, tha ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu.
“Mbi 346 mijë sirianë janë kthyer në zonat në Siri të cilat u pastruan nga terroristët në operacionet ‘Mburoja e Eufratit’ dhe ‘Dega e ullirit’”, tha Çavushoglu në konferencën e përbashkët për media në Liban me homologun e tij, Gebran Bassil, duke iu referuar operacioneve turke nga viti 2016.
Gjatë konferencës për media në kryeqytetin libanez Bejrut, ku po qëndron për vizitë zyrtare, Çavushoglu foli edhe për kthimin vullnetar të refugjatëve sirianë në shtetin e tyre.
Ai tha se Turqia mund të ndajë eksperiencën me Libanin se si të mundësojë siguri për refugjatët sirianë kur ata të kthehen në vendlindjen e tyre. Turqia strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo shtet tjetër në botë. Libani, me 1,5 milionë, është shteti i dytë.