Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Indrit Çelajt – Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të hetohen prokurorët dhe gjyqtarët që lanë të lirë vëllezërit Kusi


Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje KLGJ-së dhe KLP-së të nisin hetimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë ndjekur çështjet e dy vëllezërve Kusi në të kaluarën, të cilët së fundmi akuzohen dhe për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj në vilën e babait të tyre në rikontruksion, në zonën e Myslym Shyrit.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik dy ditë më parë, ku mbeti i vrarë shtetasi I.Ç. I riu 26 vjeçar, sipas informacioneve të publikuara në media dyshohet se është vrarë për motive të dobëta, teksa po punonte për montimin e një kondicioneri në një godinë në rrugën “Muhamed Gjollesha”.

Autorët kryesorë të dyshuar për këtë ngjarje rezulton se janë larguar nga vendngjarja dhe sipas medias dyshohet se janë me precedentë të mëparshëm penale. Sipas medias, pavarësisht nga akuzat e rënda që rëndonin në ngarkim të tyre për kryerjen e krimeve ndaj jetës, ata janë lënë të lirë nga organet e drejtësisë penale

E drejta e jetës është një e drejtë themelore kushtetuese dhe shteti ka detyrimin pozitiv ta mbrojë atë. Por pavarësisht nga ky detyrim, krimet me motive të dobëta apo nga persona të dyshuar se janë të përfshirë në veprimtari kriminale, vijojnë të marrin jetën e njerëzve të pafajshëm në vendin tonë.

KShH i sugjeron organeve të rendit që në përputhje me detyrat e parashikuara në ligjin për policinë e shtetit, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve kryesorë të dyshuar të këtij krimi të rëndë. Ngjarja ku mbeti i vrarë shtetasi I.Ç ka ndodhur në një nga zonat afër qendrës së Tiranës, shumë afër institucioneve të policisë së shtetit.
KShH i sugjeron organeve përkatëse të procedimit penal të hetojnë në mënyrë të plotë, të gjithanshme dhe objektive çështjen në fjalë si dhe çështje të tjera ku dyshohet se janë implikuar autorët e krimit.

KShH, në kushtet kur Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nuk është ngritur ende, i sugjeron Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të kenë në vëmendje të veçantë të veprimtarisë, shkeljet e mundshme që mund të jenë kryer nga gjyqtarë dhe/ose prokurorë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e veprave penale për të cilat janë akuzuar në të kaluarën autorët e dyshuar të këtij krimi.

Ndërkohë që sipas ligjit nr.115/2016, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Komiteti Shqiptar i Helsinkit i shpreh familjarëve të viktimës ngushëllimet e tij.”, thuhet në njoftimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Indrit Çelaj nga Mallakastra, ka qenë duke punuar dy ditë më parë për kondicionimin e një vile 3-katëshe që ndodhet pranë një blloku pallatesh mes rrugës “Myslym Shyri” dhe rrugës “Muhamet Gjollesha”, kur është qëlluar gjatë orëve të paradites me plumb në kokë.

I riu u dërgua në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht ai nuk mundi të mbijetojë. Për vrasjen e tij janë në kërkim dy djemtë e pronarit të vilës, Griseldo Kusi dhe Albano Kusi, të cilët ishin aarrestuar edhe më parë nën akuzën për vrasje dhe atentate, por ia kishin hedhur me pak muaj në burg.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *