Vendosni fjalën kyçe....

Autobusi me shqiptarë sulmohet me gurë në Serbi


Një autobus me udhëtarë nga Kosova i cili po udhëtonte nëpër Serbi për në Frankfurt, është sulmuar me gurë të shtunën mbrëma .

Sipas medieve në Kosovë, autobusi ishte duke kaluar në Krushevac kur është gjuajtur me gurë në drejtim të tij.

Nga sulmi, fatmirësisht nuk ka pasur persona të penduar por vetëm thyerje xhamash, përfshirë edhe xhamin e përparmë të mjetit të transportit të udhëtarëve.

Edhe pse i përkiste një agjencie kosovare, autobusi është me targa të Shqipërisë.

Menaxheri i kompanisë së cilës iu sulmua autobusi ka folur për Gazetën Express  lidhur me incidentin.

“Autobusi ka arrit në cakun për gjysmë orë. S’ka asnjë të lënduar. Ka vazhduar procedurat tjera.  Gjithçka në rregull. E kanë kryer punën e tyre autoritet serbe”, ka thënë për Express Ibrahim Veselaj, menaxher në kompaninë “Shpejtimi”.

Lidhur me sulmin ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka kërkuar që të mos udhëtohet nëpër Serbi derisa të ketë siguri të plotë.

Zëdhënësi i MPJ-së, Jetlir Zyberar, ka thënë për Express se sulmet e tilla janë shqetësuese. Ai ka thënë se ky sulm dëshmon se nuk ka liri të lëvizjes.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj autobusit që udhëtonte nga Kosova përmes Serbisë. Ky sulm tregon përsëri pengesat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi. Nuk ka liri të lëvizjes. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që sulmet e vazhdueshme si ajo në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë dhe tani ndaj autobusit nuk po ndalen nga Beogradi dhe mbështeten nga mekanizmat e sigurisë serbe”, ka thënë Zyberaj.

Zyberaj ka shtuar se MPJ është në kontakt me BE-në dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga Beogradi për këto sulme.

Po ashtu, ai ka shtuar se MPJ u bën thirrje qytetarëve që t’u shmangen udhëtimeve përmes Serbisë, derisa nuk ka siguri për ta.

“Përderisa Ministri Daçiç si ish zëdhënës i Millosheviçit i bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garancione nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *