Një video e bërë virale në rrjet ka tronditur Turqinë, pasi paraqet një krim të rëndë në familje.
Një burrë ka therur me thikë ish-bashkëshorten në sy të vajzës 10-vjeçare duke terrorizuar jo vetëm fëmijën, por edhe të pranishëm të tjerë pasi ndodheshin në një restorant.
Ish-çifti ishin takuar në një restorant në qytetin e tyre të lindjes në Turqinë qendrore javën e kaluar.
Fedai Baran dhe Emine Bulut ishin ndarë prej tre vitesh dhe do vendosnin se kush do ta mbante vajzën, por në debat e sipër, burri e goditi ish-bashkëshorten fillimisht me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa në fund i preu edhe fytin.
Në video, tregohet bluza e bardhë e Bulut e njomur në gjak dhe vajza e saj 10-vjeçare e cila i lutet asaj të jetojë:” Mami të lutem mos vdis, mos vdis!”
Në video dëgjohet edhe zëri i gruas që përgjërohet duke thënë: “Nuk dua të vdes, më ndihmoni!”
Por ishte e kotë, pasi Emine ndërroi jetë në spital. Fedai Baran u arrestua më pas nën akuzën për vrasje.