Vendosni fjalën kyçe....

Aksident te Bjeshkët e Istogut – Tre të rinj bien në humnerë, ndërron jetë njëri


Një aksident i rëndë ka ndodhur në Bjeshkët e Istogut në vendin e quajtur Polane, ku një i mitur ka humbur jetën pasi ka rënë në humnerë.

Siç shkruajnë mediat në Kosovë, tre të rinj ishin nisur për në Bjeshkët e Istogut, por për shkak të kushteve të këqija atmosferike ata ranë në një humnerë prej 300 metrave.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një i mitur që ndodhej pasagjer në automjet. Dy të rinjtë e tjerë kanë mbetur të plagosur.

“Ju informojmë se me datën 26.08.2019, rreth orës 07:00, Policia e Kosovës –Stacioni Policor në Istog është njoftuar se në bjeshkët e Istogut ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, me ç’rast 1 (një) person ka humbur jetën dhe 2 (dy) të tjerë janë lënduar.

Me datë 25.08.2019, sipas të lënduarve 3 (tre) të rinjë kanë qenë duke shkuar në bjeshkët e Istogut, dhe ne hyrje të vendit të quajtur ( Polane), për shkak të kushteve të dobëta atmosferike, me automjetin e tyre që ishin duke qarkulluar kanë humbur kontrollin dhe janë rrokullisur për më shumë se 300 metra në një humnerë.

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësite nga Stacioni Policor Istog, menjëherë posa është pranuar lajmi kanë dalë ne vendin e ngjarjes së bashku me Njësitin e Trafikut Rajonal, Njësitet tjera relevante, zjarrfikësit dhe ndihma e parë, me ç’rast kanë bërë përpjekje për ti tërhequr viktimat e aksidentuara nga humnera.”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Dy personat e plagosur, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar ende por jepet vetëm me iniciale, E.M. 1995 ( drejtuesi i mjetit), dhe F.S.1998 (pasagjer), janë dërguar në spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor.

Ndërsa trupi i pa jetë i të miturit është tërhequr nga vendi i ngjarjes për t’u dërguar në morgun e Spitalit rajonal në Pejë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *