Vendosni fjalën kyçe....

Cila është Vjosa Osmani, e para kandidate grua për kryeministre në kombin shqiptar


Vjosa Osmani është kandidatja e parë grua në kombin shqiptar. Ajo mbetet konsiderohet si  kandidatura më e fortë ndër radhët e LDK-së në Kosovë për postin e kryeministres, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Osmani konsiderohet si militante e fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe shpesh herë është krahasuar me kancelaren gjermane Angela Merkel.  

Këto krahasime nisen t’i bëhen Osmanit në prag të vendimit të LDK-së, për caktimin e mandatarit për Shefin e Qeverisë së ardhshme në mbledhjen e së hënës.

Sot nga ora 14:00, pritet të fillojë mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pritet të diskutohet për kandidatin për kryeministër nga radhët e kësaj partie.

LDK në fakt kishte paralajmëruar se të shtunën do ta caktonte kandidatin e tyre për Kryeministër, por ky vendim u shty pasi në mbledhjen e Kryesisë nuk ishin Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Përpos Osmanit në garë për Shef të Qeverisë janë edhe tre emra tjerë: Lutfi Haziri, Avdullah Hoti e Kujtim Shala.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dekretoi sot shpërbërjen e Parlamentit, por ende nuk ka caktuar një datë për zgjedhjet.

Zgjedhjet e parakohshme  pritet të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, pasi ligji parashikon se duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë nga shpërndarja e parlamentit.

Por kush është Vjosa Osmani, kandidatja e parë grua në historinë e shqiptarëve?

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes.

Osmani studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste.

Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, në R.I.T Kosovo dhe në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.

Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Osmani flet shkëlqyer disa gjuhë të huaja si anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht.

Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës prej tri mandatesh. Dy palë zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë e nxorën Vjosën si gruan deputete më të votuar në historinë e Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.

Vjosa Osmani është e martuar dhe ka dy vajza binjake, Dua dhe Anda. Bashkëshorti i saj quhet Prindon Sadriu dhe me profesion është jurist. Osmani nuk preferon që familjen e saj ta prezentojë shpesh në publik./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *