Qeveria braziliane ka deklaruar se do të refuzojë ndihmën e ofruar nga vendet e G7-ës për të ndihmuar në trajtimin e zjarreve në pyjet e Amazonës.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të hënën se vendet e G7 kishin vendosur të dhuronin 22 milionë dollarë për të luftuar zjarret në pyllin e Amazonës.
Por sikurse shkruan “BBC”, ministri i Jashtëm brazilian Ernesto Araujo ka thënë se kjo iniciativë e re nuk ishte e nevojshme, sepse ishin krijuar mekanizma ndërkombëtarë për të luftuar shpyllëzimin. Dhe ministri i mbrojtjes tha se zjarret në Amazon nuk ishin jashtë kontrollit.
Presidenti Brazilian Jair Bolsonaro e ka akuzuar Francën se po e trajton Brazilin si koloni të sajën.
Duke komentuar ofertën e ndihmës së G7-ës, shefi i personelit të Bolsonaros, Onyx Lorenzoni tha: “Faleminderit, por ndoshta ato burime janë më të rëndësishme për pyjet e Evropës”.
“Macron nuk mundi të shmangë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë së botës dhe tani kërkon të na japë mësime për vendin tonë?”, shtoi Lorenzoni, duke kujtuar djegien e Katedrales së Parisit në muajin prill.
Më pas ai shtoi se Brazili mund të mësonte çdo komb se si të mbrojë pyjet e vendit.