Vendosni fjalën kyçe....

Nga “shqiptarët vijnë nga mali” te “koha për pajtim”, kryeministrja serbe zbut tonet


Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka zbutur tonet ndaj shqiptarëve gjatë vizitës së saj në Maqedoni, për inaugurimin e vendkalimit të integruar kufitar Preshevë – Tabanovc.

Brnabiç bëri thirrje për pajtim duke dalë kundër ndarjes së kufijve në Ballkan në linja etnike.

 “Serbia mbështet pajtimin me shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo nuk ka bashkëbisedues”, tha Brnabiç.

Deklaratat Brnabiç i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, kur ishte në krye të qeverisë, e ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans i hapur,” shtoi ajo.

Kryeministri Zaev, qëndroi në të njëjtën linjë, duke i thënë Brnabiç se ka ardhur koha për të arritur një pajtim historik midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi europianë dhe duhet ta dëshmojmë këtë”, tha Zaev.

 Në inaugurimin e një pike kufitare në Tabanovc-Preshevë, Brnabiç ka takuar edhe gazetarin shqiptar Furkan Saliu, i cili kishte të veshur bluzën me figurat më të njohura shqiptare, me mbishkrimin “Sapo dolëm nga mali”.  

Kryeministrja  serbe nuk bëri asnjë koment për veshjen e gazetarit, por sjellja e tij ka tërhqur vëmendjen e medieve në Maqedoni dhe në Serbi.  Në bluzë shfaqeshin figura të njohura si Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Luan Krasniqi, Bebe Rexha, Jim Belushi dhe Majlinda Kelmendi. 

Kujtojmë se deklaratat e Brnabiç se “shqiptarët vijnë nga mali” nuk u pritën mirë në Kosovë, me ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli i  cili tha se kryeministrja serbe s’do hynte më në Kosovë. Reagime pati edhe nga Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini e cila nuk ishte dakord me fjalorin e përdorur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *