Vendosni fjalën kyçe....

PD nxjerr prova të reja: Kur e arrestuan, Kajmaku gënjeu për emrat e prindërve


Partia Demokratike ka publikuar sot një dokument të ri lidhur më rastin e kandidatit për partinë e Vorës, Agim Kajmaku.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se ky dokument tregon se personi i arrestuar në Greqi është Jorgo Toto, kandidati socialist për Bashkinë e Vorës.

Bardhi publikoi numrin unik të pasaportës të marrë nga sistemi TIMS, e cila është e njëjtë me atë që kanë shënuar autoritet greke gjatë ndalimit të Jorgo Totës.

Sipas Bardhit, në momentin e arrestimit në Greqi, Kajmaku ka gënjyer për emrat e prindërve.

“Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku.

Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi, për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për Vorën., megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra fallco për nënën dhe babin e tij.

Në vendimin e drejtësisë greke, të cilin ne e bëmë publik dje, Jorgo Toto paraqitet me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari. Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo
Totos.

Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.

Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS.

Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi”., tha Bardhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *