Ministria e Jashtme e Brazilit ka urdhëruar të hënën ambasadorët që ka në Europë dhe në vendet e tjera të G7-ës, që të mos bëjnë pushime për dy javët e ardhshme në mënyrë që të koordinojnë një përgjigje diplomatike ndaj shqetësimeve globale mbi zjarret në Amazonë.
“Reuters” shkruan se kjo masë vjen pasi Brazili u dërgoi diplomatëve javën e kaluar pikat kyçe biseduese në lidhje me rekordin mjedisor të vendit në përpjekje për t’iu përgjigjur kritikës publike.
Vendimi për të pezulluar pushimet për ambasadorët e disa vendeve u mor nga Ministri i Punëve të Jashtme Ernesto Araújo, pas një takimi urgjent me Presidentin Jair Bolsonaro.
Disa ambasadorë ishin tashmë me pushime dhe u është dashur të kthehen në postet e tyre me marrjen e urdhrit.
Ambasadave u është kërkuar gjithashtu që të postojnë në faqet e tyre në mediat sociale informacione të tilla që zjarret në pyje ndodhin çdo vit në Amazonë dhe se këto të këtij viti nuk janë jashtë kontrollit. Presidenti i vendit Jair Bolsonaro thotë se zjarret po përdoren nga ambientalistët dhe kundërshtarët politikë për të diskredituar qeverinë e tij.