Gjykata e Apelit ka marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë për Mihal Kokëdhimën, por ky vendim nuk është pro pronarit të restorantit në Porto Palermo që u shemb pasincidentit me disa turistë spanjollë.
Apeli ka vendosur të mos e ndryshojë masën e sigurisë “arrest me burg” për Kokëdhimën, të vendosur më herët nga Gjykata e Vlorës.
Kokëdhima u arrestua pasi goditi furgonin e një grupi spanjollësh që kishin drekuar në restorantin e tij. Pas pakënaqësisë së turistëve për shërbimin, ata kërkuan të largoheshin pa paguar. Por Kokëdhima shpërtheu duke i ndjekur nga pas.
Pronari i lokalit në Porto Palermo akuzohet për tre vepra penale: “kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Para 10 ditësh u publikuan pamjet e tmerrit kur Kokëdhima u hodh mbi furgon dhe nisi të godiste xhamin me grusht. I gjakosur ai vazhdoi për tre kilometra rrugë në xhamin e përparmë të makinës duke rrezikuar jetën.
Kokëdhima tha para gjykatës se ai thjesht nuk kishte dashur t’i linin të largoheshin pa paguar. Ai tha se kishte telefonuar policinë për këtë, por policia nuk i ishte përgjigjur dhe ai u kishte dalë para për t’i ndaluar. Por furgoni e kishte tërhequr zvarrë.
“Mora ne telefon policine sepse iken pa paguar, e kam te faktuar, Policia nuk u pergjigje. U dola para, me qelluan me furgon, nuk doja t’i lija te iknin. Me kane terhequr zvarr. Mezi po mbahesha te makina. Cfare te beja une, makina ishte ne ecje, po te hidhesha do vritesha, u kerkoja te ndalonin. Cfare do tu beja une atyre? Ata ishin 8 veta, nuk kisha asnje arme te ftohte asgje. Kam pasur vetem telefonin me vete.
Isha ne punen time, me kane bere sikur jam kriminel. Asnjerin nga ata nuk e kam prekur me dore. Asnje. Doja vetem leket e mia. Ma kane kthyer ceshtjen politike. Po me bejne gjyq publik”., tha Kokëdhima.
Kokëdhima tha se ai nuk e kishte thyer xhamin për t’i dëmtuar turistët, por për t’u mbajtur për vete.
“Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar por për t’u mbajtur. Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”, janë fjalët e tij.