Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson i kërkon mbretëreshës të pezullojë Parlamentin


Downing Street ka lajmëruar që kryeministri britanik Boris Johnson ka folur me Mbretëreshën për t’i kërkuar të pezullojë Parlamentin në javën e dytë të shtatorit.

Sikurse bëjnë me dije mediat britanike, Johnson tha se do të planifikojë një fjalim të Mbretëreshës për datën 14 tetor për të përcaktuar axhendën e qeverisë së tij të re. Ai mohoi se kjo është një përpjekje për të parandaluar deputetët të bllokojnë një Brexit pa marrëveshje.

“Ne duhet të vazhdojmë me axhendën tonë të brendshme dhe kjo është arsyeja pse ne po shpallim fjalimin e Mbretëreshës më 14 tetor”, tha kryeministri, pas një numri raportesh se ai planifikonte pezullimin e Parlamentit.

Kjo do të thotë që deputetët nuk do të kenë kohë të miratojnë ndonjë ligj që mund të ndalojë kryeministrin të nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE-ja pa një marrëveshje më 31 tetor.

Kur u pyet në lidhje me kërkesën për Mbretëreshën, Johnson e mohoi kategorikisht që qëllimi i tij është të kapë në befasi kundërshtarët politikë.

Sipas Johnsonit ka mjaft kohë për debat parlamentar dhe që të dy palët të përgatiten përpara samitit të liderëve evropianë më 17 tetor./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *