Shqiptari Ismail Rrebeshi, i arrestuar në muajin janar si pjestar i një organizate kriminale të tipit mafioz, bashkë me 12 të burgosur të tjerë, u largua nga burgu i Tolmezzo ku ai kishte qenë i izoluar pothuajse për gjashtë muaj dhe është zhvendosur në burgun e Cuneo në seksionin 41.
Seksioni 41 siç shkruajnë mediat italiane, është i njohur për mbikëqyrje maksimale, pa komunikim me të burgosur të tjerë dhe me vetëm dy orë leje për ajërosje.
I konsideruar si bosi i Ndrangheta-s nga Viterbo, në dhjetë muajt e fundit, shqiptari Ismail Rebeshi ka ndryshuar tre burgje. Në muajin shkurt ai u transferua në Tolmezzo kurse në muajin gusht u shpërngul për në Cuneo.
Avokati i Rebeshit ndryshe nga shqiptari, duket i kapur në befasi.
“Në kaq shumë vite që e bëj këtë punë kurrë nuk kam hasur në diçka të tillë. Kështu që kam bërë ankesë në gjykatën e mbikëqyrjes”, tha avokati Roberto Afeltra.
“Klienti im – thotë Afeltra – nuk ka dënime për krime mafioze. Dhe kjo duhet të jetë e rëndësishme, mbi të gjitha sepse katër muaj më parë gjykatësi hetues i Gjykatës së Cagliari-t i kishte dhënë Rebeshit arrestë shtëpie”.
Rebeshi dhe Giuseppe Trovato konsiderohen dy shefat e shoqatës së tipit mafioz, i cili për më shumë se dy vjet “e ka vënë në zjarr Viterbo-n”.
Të dy, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë, donin kontrollin e qytetit. Rebeshi konsiderohet gjithashtu një nga trafikantët më të rëndësishëm të narkotikëve në Italinë Qendrore.
Mbi të peshojnë dy masa paraprake, njëra e lëshuar nga gjykatësi hetues i Gjykatës së Romës dhe ai i lëshuar në nëntor 2018 nga gjykatësi hetues i Cagliari-t.