Kalimi në dixhital ishte parashikuar të niste me 1 shtator, por mesa duket do të ketë përsëri shtyrje. Kryetari i AMA-s Gentian Sala tha në një deklaratë për mediat se fikja e transmetimeve analoge në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës është shtyrë me 30 ditë, deri në fund të shtatorit.
Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga Bordi i AMA-s pas një sondazhi të kryer sipas të cilit ende një numër shumë i madh qytetarësh vazhdojnë të shikojnë transmetimet analoge.
“Bordi i AMA-s vlerëson se shtyrja me katër javë u krijon mundësi qytetarëve të marrin masa që të përfitojnë nga shërbimet audiovizive dhe do tu jepet mundësia operatorëve të realiziojnë në mënyrë sa më profesionale shitjen kundrejt qytetarëve. Kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët sepse shtyrjet e herëpashershme krijojnë një lloj konfuzioni.”, deklaroi Sala.
Ai kërkoi që operatorët ekonomik në treg që tregtojnë dekoderat të japin informacion në mënyrë të përsëritur lidhur me sasinë e dekoderave që disponojnë.
Po ashtu u kërkoi operatorëve privatë kombëtarë që ende nuk mbulojnë me sinjal bashkitë Sarandë dhe Himarë në qarkun e Vlorës të marrin masa të menjëhershme për shtrimin e infrastrukturës dixhitale.