Forcat e Armatosura Gjermane po hasin vështirësi për të furnizuar trupa me këpucë të reja, zbuloi Ministria e Mbrojtjes, duke fajësuar industrinë joefektive që i ka tejkaluar me 2 vjet afatet e përcaktuara më herët për prodhimin dhe furnizimin me këpucë të ushtarëve.
Duke iu përgjigjur hetimit parlamentar, Ministria tha se kërkesa për t’u ofruar ushtarëve dy palë “çizme të rënda luftarake” dhe një palë “çizme të lehta luftarake” është shuar për shkak të “aftësisë së kufizuar të prodhimit në industri”.
Projekti nisi në vitin 2016 dhe supozohej të zbatohej plotësisht deri në vitin 2020. Sidoqoftë, nuk do të ndodhë kështu, dhe afati është zhvendosur në mesin e vitit 2022, tha Ministria në përgjigjen e saj për Partinë Demokratike të Lirë (FDP).
Rreth 160,000 nga 183,000 ushtarët e Bundeswehr kanë marrë një palë çizme të rënda luftarake deri më tani, por mungojnë ende dy palët e tjera. 31,000 ushtarëve më fatlumë u janë dhënë tashmë nga një palë çizme luftarake të lehta.
Kur u pyet se sa ushtarakë e kanë kompletin e këpucëve, një zëdhënës i Ministrisë i tha ‘Tagesspiegel’ se vetëm disa prej tyre janë në zotërim të të tre palëve.