Vendosni fjalën kyçe....

Bumi i ndërtimeve në kryeqytet, rritet me 136% sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në 6-mujorin e parë 2019


Ndërtimet në kryeqytet pritet të vijojnë për një kohë të gjatë, nëse i referohemi sipërfaqes që është dhënë për leje ndërtimi në gjysmën e parë të këtij viti.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, në kryeqytet janë dhënë gjithsej 205 leje ndërtimi, me një rritje prej 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin dhënë në total 164 leje, sipas të dhënave që u publikuan sot nga INSTAT.

Por, treguesi më i rëndësishëm i ndërtimeve është sipërfaqja e lejeve, që po shënon një rritje më të fortë. Në 6 muajt e parë të vitit, sipërfaqja  e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet, po sipas INSTAT, ishte 753,087 m², duke shënuar një rritje me 136% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm në tremujorin e parë të 2019-s, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 50% më e lartë sesa ajo që u dha për gjithë 6-mujorin e parë 2018.

Vetëm në tremujorin e parë u dha për ndërtim një sipërfaqe prej rreth 480 mijë metra katrorë. Në 3-mujorin e dytë, ritmet ranë disi dhe sipërfaqja zbriti në 273,133 m².

Të dhënat që nga viti 2014, tregojnë se ish-kryebashkiaku Basha dha mesatarisht leje ndërtimi me sipërfaqe 200-300 mijë metra katrorë në gjysmën e parë të 2014 dhe 2015, ndërsa në 2013-n vendimet për ndërtime kishin qenë minimale. I njëjti ritëm konstatohet dhe në mandatin e pasardhësit.

Me ardhjen e Veliajt, në 6-mujorin e parë 2016, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ra dukshëm në raport me 2014-2015 (rreth 60 mijë metra katror).

Më pas ndërtimet filluan të lulëzonin në Tiranë dhe për periudhën janar-qershor 2018 u dhane leje ndërtimi për një sipërfaqe prej gati 320 mijë metra katrore. Ritmet nuk u ndalën, duke kulmuar në gjysmën e parë të këtij viti.

Në kryeqytet janë hapur gropat dhe ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si Down Town tek ish-7 Xhuxhat, një kullë me 40 kate. Book Building, po ndërtohet pas sahatit dhe sipas lejes zhvillimore është Godinë Polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate.

MET Building Tirana, pranë Hotel Dajti do të jetë një kullë 12-katëshe. Syri i Tiranës po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit.

Ndërkohë, që në qendër kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre arrijnë deri në 4000 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *