Presidenti i vendit, Ilir Meta quan zgjedhje të ligjshme vetëm ato të 13 tetorit dhe thotë në një intervistë për gazetën italiane “ilgiornale.it” , se dekreti i tij mund të kundërshtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe kurrësesi nga Kryeministri.
“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, do të kishte qenë e pashmangshme një përplasje mes dy fraksioneve politike.
Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime. Vetëm gjykata kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit, e fatkeqësisht veprimtaria e kësaj gjykate është pezulluar nga vullneti i kryeministrit Rama.”, thotë Meta.
Një nga pikat për të cilat Meta ka folur për gazetën italiane, është edhe denoncimi që ai i ka bërë disa herë George Sorosit për ndikimin e tij në politikën shqiptare.
Meta thotë se shqiptarët nuk duhet të përfundojnë në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë.
“Ne jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të kujdesshëm në një epokë globalizimi si ajo e tanishmja për të ruajtur vlerat që janë në bazë të Shqipërisë duke filluar nga identiteti ynë. Ne duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë.”, janë fjalët e presidentit./Hashtag.al