“Arbjan Maznikut i pagoi dhomën 1816 euro me kartë krediti vetë Shkëlqim Fusha. Kompania ka marrë 145 tendera nga Veliaj”, deklaron këtë të shtunë Dhurata Çupi e Partisë Demokratike, duke publikuar edhe një dokument, që sipas saj është autorizimi i pagesës me kartë krediti nga vetë Shkëlqim Fusha, pronari i “Fusha shpk”.
“Në bazë të të dhënave zyrtare, Fusha shpk për periudhën 2014-2019 ka përfituar 145 tendera me vlerë 12.1 miliard lekë ose rreth 101 milion euro, nga të cilat, 85 me një operator në garë.
Nga 145 tendera total, në 140 tendera ose 97% të tenderave total, vlera e fondit limit është thuaj se e njëjtë me vlerën e kontratës.
Vetëm nga bashkia Tiranë, gjatë periudhës 2015-2019, kjo kompani ka përfituar 49 tendera me një vlerë mbi 40 milion euro, nga të cilat, 34 pa garë dhe në 47 prej këtyre tendera vlera e fondit limit ështe thuaj se e njëjtë me vlerën e kontratës.
Pikërisht në kohën kur sapo kjo kompani kishte gllabëruar tenderin e rradhës, atë për rehabilitimin e bulevardit Zogu i parë, duket se Fusha shpk e ka hapur qesen për drejtuesit e bashkisë.
Në media është publikuar një faturë e një hoteli luksoz në Barcelonë, ku nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata.
Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro.”, deklaron Çupi.
Sipas saj, ajo që përbën skandal përveç çmimit është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Shkëlqim Fusha, nëpërmjet kartës së kreditit.
“Pra, përfituesi më i madhe i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë të cilët prej 4 vitesh nuk kanë kursyer firmat për tenderat qindra miliona euroshe për të.
Një skandal që në një vend minimumi aspirant për të qënë pjesë e BE, do të kishte sjellë pasoja publike dhe penale për një zyrtar që përfiton favore të tilla nga oligarkët.
Arbian Mazniku, në një vend europian apo edhe ballkanik me minimumin e standarteve sot do të kishte dhënë dorëheqjen, por ai nuk e bën një gjë të tillë se e mbron Erjon Veliaj dhe Edi Rama.”, theksoi Çupi.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku dhe as nga Shkëlqim Fusha, drejtuesi i kompanisë “Fusha shpk”./Hashtag.al