Vincent Van Gerven Oei*
Më 22 korrik, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses-Ones, Shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përuruan ndërtesën e re të institucioneve të reja të drejtësisë, të quajtur “Poli i Drejtësisë”.
Në këtë ndërtesë do të vendosen Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLP), Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ), Inspektoriati i Drejtësisë (ILD) dhe Shkolla e Magjistraturës.
Ndërtesa e re, e sapo ndërtuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë (DHKA) si godinë për Shkollën e Avokatisë, u ble nga qeveria për 11 milionë euro.
Por historia e godinës ngre dyshime si në origjinën e saj, edhe në ligjshmërinë e blerjes nga qeveria.
Qendra e re e drejtësisë u ndërtua në zonën e njohur si Fusha e Aviaciont. Ish-kryeministri Sali Berisha, përpara se të largohej nga detyra, transferoi administrimin e 25 mijë metrave katrorë tokë nga Ministria e Drejtësisë te Dhoma Kombëtare e Avokatisë—një shoqatë private e avokatëve.
Me Vendimin Nr. 670 të datës 7 gusht 2013, qeveria e kaloi administrimin e tokës, të regjistruar në zonën kadestrale 8210, te Dhoma e Avokatisë, me qëllim ndërtimin e Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Neni 3 i VKM-së përcakton se:
Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë e kanë të ndaluar të ndryshojnë destinacionin e pronës […] ta tjetërsojnë, apo t’ia japin për përdorim palëve të treta.
VKM-jap u bazua në nenin 13 dhe 15 të ligjit 8743 “Për Pronat Shtetërore”. Sipas nenit 15, pika c, përcaktohet:
Këshilli i Ministrave ndryshon përgjegjësinë e administrimit nga një organ shtetëror në një ent publik në raste kur [..]prona mund të përdoret për qëllime më të mira sesa nën administrimin e një organi tjetër publik apo shtetëror.
DHKA nuk është organ shtetëror apo publik, por një shoqatë private. Financimi dhe menaxhimi i saj nuk janë subjekt i mbikëqyrjes publike. Ajo drejtohet nga Maks Haxhia, i cili jo vetëm ka luajtur një rol domethënës në reformën në drejtësi si anëtar i Komitetit Drejtues të EURALIUS, por është edhe avokati i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik droge dhe korrupsion, si dhe avokati i ish- Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, i larguar nga detyra nga KPA-ja.
Është e qartë se transferimi i tokës në vitin 2013 u krye në shkelje të ligjit. “Dhurata e Lamtumirës” e qeverisë Berisha ngriti probleme dhe pikëpyetje. Për shembull, Saimir Visha, atëherë Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, pohoi më tetor 2013 se:
“Shikohet e pamundur ndërtimi i Shkollës Kombëtare te Fusha e Aviacionit, ku qeveria e ikur na ka falur 25 mijë metra katrorë, gjë që ka krijuar shumë pikëpyetje. […] Një sipërfaqe e tillë ka krijuar dyshime dhe aq më tepër që nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë ajo nuk po regjistrohet.”
Këto probleme u zgjidhën më 17 shkurt 2016, kur Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga Kreministri Edi Rama, vendosi t’i japë lejen e ndërtimit Dhomës së Avokatëve për ndëtimin e ‘Korpus Avokatia’, shkollës së avokatisë.
Në 22 prill 2016, Dhoma e Avokatisë bëri thirrjen publike për “ndërtimin e korpusit kombëtar të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.”
Ndërtimi i ‘Korpus Avokatia’ nisi në vitin 2017 dhe media raportoi atëherë se ai është një projekt privat. Më 28 gusht 2017, Monitori raportonte:
Burimet pranë projektit shpjeguan se kjo godinë i dedikohet mësimdhënies dhe ka burime financimi privatët dhe do të menaxhohet nga privatët. Korpusi i avokatisë është konceptuar si godinë multifunksionale me ambiente mësimdhënie, zyra, bare dhe restorante dhe ambiente parkimi. Dhoma e avokatisë është angazhuar në këtë projekt.
Ndërsa burimet financiare për ndërtimin e kësaj ndërtese ishin të paqarta dhe të padokumentuara, një problem, në dukje pa lidhje, u krijua në zyrat e Komisionit Evropian.
Në maj 2017, Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare vendosën të shkurtojnë me 50 milionë euro fondet e caktuara për reformën në drejtësi, me justifikimin për të ulur “shpenzimet e mëdha” për “godinat e reja të gjykatave”.
Si rezultat, institucionet e reja të drejtësisë, të cilat u formuan një vit më vonë, mbetën pa zyra.
Në dhjetor 2018, Ora News raportoi se qeveria ishte në bisedime me Dhomën e Avokatëve për të marrë ‘Korpus Avokatia’, e cila në atë moment ishte ende e pambaruar.
Më 17 prill 2019, qeveria Rama miratoi vendimin numër 234, i cili parashikonte ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional, me qëllim zhvillimin e “një plani integrues për ‘Polin e Drejtësisë’ [..]në zonën kadestrale 8210, Tirana […] përfshirë […] godinën e ngritur në këtë tokë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.”
Plani zhvillues duhet të siguronte zyra për KLGJ-në, KLP-në, ILD-në dhe Shkollën e Magjistraturës.
Përfshirja e Shkollës së Magjistraturës është e jashtëzakonshme, duke qënë se qeveria organizoi më 2015 një konkurs ndërkombëtar arkitekture për zgjerimin e kampusit ekzistues të ndërtesës dhe krijoi ‘Pallatin e Drejtësisë’, në të cilin do të vendosej edhe Gjykata e Lartë.
Për këtë qëllim, në vitin 2017 qeveria i dha Shkollës së Magjistraturës 3 205 metra katrorë tokë shtetërore më shumë. Gjendja e tanishme e këtij projekti është krejtësisht e paqartë.
Sipas VKM-së 234, grupi ndërinstitucional i punës duhet të fillonte bisedimet me Dhomën e Avokatisë për të blerë ndërtesën ‘Korpus Avokatia’ dhe për të përgatitur një draft kontratë, e cila do të miratohej nga Këshilli i Ministrave.
Deri më tani nuk ka asnjë provë për miratimin e një kontrate të tillë dhe asnjë shenjë për ekzistencën e kësaj kontrate.
Për më shumë, ndryshimi i destinacionit të pronës, përdorimi i saj jo më për Shkollën e Avokatisë, por për institucione të tjera, është shkelje e VKM-së 670 të vitit 2013, e cila e ndalon në mënyrë të qartë këtë, dhe e kufizimeve ligjore, të cilat e ndalojnë qeverinë të blejë prona në tregun e pronave.
Megjithatë, më 22 korrik ‘Poli i ri i Drejtësisë’ u hap në ndërtesën e ‘Korpus Avokatia’ në praninë e të gjithë ndërkombëtarëve. Çmimi, sipas raportimeve në media, ishte 11 milionë euro. Për aq kohë sa asnjë kontratë nuk është bërë publike, është e paqartë se kujt i janë paguar këto para dhe sipas cilit vendim apo ligj.
Le ta përmbledhim:
— Në 2013, qeveria Berisha i dha një shoqate private, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, 25 mijë metra katrorë tokë shtetërore për të ndërtuar Shkollën e Avokatisë.
— DHKA nuk mund të ndërtonte mbi atë tokë deri në momentin që Qeveria Rama miratoi në vitin 2016 lejen e ndërtimit.
— Ndërtimi filloi në vitin 2017 dhe u financua nga burime të panjohura, përmes një procesi opak.
— Përpara se të mbaronte ndërtimi i ‘Korpus Avokatia’, qeveria Rama nisi bisedimet për ta blerë mbrapsht godinën dhe tokën e dhuruar.
— Vlera asnjeherë nuk u bë publike. Asnjë kontratë nuk u bë publike, e cila, me siguri, edhe nëse është firmosur, është në shkelje të VKM-së së miratuar në 2013, e cila në vetvete ishte në shkelje të ligjeve shqiptare.
Një pyetje tjetër është ku i gjeti qeveria shqiptare 11 milionë euro, duke qënë se ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se nuk ka para për të ndërtuar ndërtesën e Teatrit të ri Kombëtar.
Pse ka gjithmonë para për t’u transferuar në xhepat e miqve të reformës në drejtësi, por kur vjen puna tek arsimi, shëndetësia apo kultura, çdo gjë i jepet partnerëve ‘privatë’, të cilët nuk janë të interesuar në maksimizimin e përfitimit publik?
Reforma në Drejtësi është kthyer në një biznes fitimprurës për ata që qarkullojnë në orbitën e saj. Ajo i ka dhënë një brezi të ri të mbështetësve të ‘Rilindjes’ një mënyrë për të arritur në majat më të larta të pushtetit gjyqësor dhe, bashkë me të, edhe zyra luksoze.
Askush nuk shqetësohet se pse një gjë kaq e rëndësishme dhe e domosdoshme, si ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, është e rrethuar me kaq shumë pikëpyetje për ligjshmërinë dhe financimin e tyre.
Ndoshta ky transaksion i errët pasurish të patundshme është metafora më e mirë që mund të ishte gjetur për vetë drejtësinë e reformuar.
*Vini re: Shkrimi është pronësi intelektuale e “Exit.al”