Vendosni fjalën kyçe....

Ish-mësuesit atentat për hakmarrje? “Shpërthim” për ta nxjerrë nga banesa, plumba për ta vrarë


Eljus Thartori

Atentati ndaj ish-mësuesit, Eljus Thartori, në Vlorë ka qenë i mirëorganizuar dhe mbetet ende pa autorë. Mbi bazë të dëshmive të banorëve, autorët dyshohet se përdorën një shpërthim eksplozivi për ta nxjerrë nga shtëpia dhe më pas e qëlluan me armë. Plagët e djegies në trup, kanë përforcuar këtë pistë, edhe pse policia e Vlorës nuk e konfirmon, pasi vetë 36-vjeçari në dëshminë e parë ka thënë se djegiet i ka pasi i plasi celulari në dorë.

Hakmarrja për një vrasje të disa viteve më parë është pista e kryesore mbi të cilën janë përqëndruar hetimet e Policisë së Vlorës për zbardhjen e atentatit ndaj Eljus Thartori, ish-mësuesi 36 vjeçar i Fizkulturës që mbeti i plagosur rëndë.

“Më plasi celulari në dorë”

Ai u qëllua me armë zjarri në ballkonin e banesës së tij në lagjen “10 korriku”.

Sulmi me armë sipas dëshmive të banorëve të zonës, por dhe plagëve në trupin e 36-vjeçarit dyshohet se është paraprirë nga një shpërthim eksplozivi.

Policia e Vlorës në raportin e parë për ngjarjen nuk e konfirmoi shpërthimin, por fakti që sipas burimeve mjekësore në trupin e Thartorit janë gjetur mbetje metali e kanë përforcuar këtë raportim.

Vetë 36-vjeçari në dëshminë e parë ka thënë se plagët dhe djegiet në duar e këmbë i ka marrë pasi i ka plasur celulari në dorë.

Dyshimet janë se atentatorët kanë përdorur shpërthimin për ta njerrë Thartorin nga banesa në mënyrë që ta kishin objektiv të sulmit me armë.

Policia e Vlorës nga ana e saj ende nuk ka një autor për atentatin ndaj ish-mësuesit të dënuar për vrasje.

Burimet thonë se janë shoqëruar rreth 15 persona, kryesisht në cilësinë e dëshmitarit, por edhe të tjerë që mund të kenë patur konflikte me 36-vjeçarin.

Pas dëshmive ata janë lënë të lirë.

“Shpresat te kamerat e sigurisë”

Veç dëshmitarëve, grupi hetimor pret të sigurojë të dhënë që mund të çojnë në zbardhjen e atentatit edhe në pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve dhe shtëpive në zonë.

Një burim i tha Rtv Ora se atentati mund të jetë filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së banesës së 36-vjeçarit Thartori që ishte objektiv i sulmit.

Ndërkohë Eljus Thartori është transportuar për mjekim të specializuar në Tiranë, pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Vlorës.

Sipas burimeve ai ka patur komplikacione pas një operacioni, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes policia ngriti postoblloqe dhe ushtroi kontrolle në disa prej akseve kryesore të Vlorës, por pa rezultat në drejtim të kapjes së autorëve.

36-vjeçari është person me precedent të mëparshëm penal. Ai ka qenë i dënuar me 10 vite burgim për vrasje.

Ngjarja kriminale për të cilën është dënuar ka ndodhur në Itali, ku dhe jetonte para disa vitesh.

Vini Re: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Ora News”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *