Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Londrës për të demonstruar kundër vendimit të kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar Parlamentin dy javë para Brexit.
Duke brohoritur “Turp për ty, Boris Johnson”, aktivistët e anti-Brexitit u mblodhën përpara “Downing Street”.
Përveç demonstratave në Londër, protesta janë planifikuar në disa qytete të tjera në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë York, Bristol, Belfast, Birmingham, Manchester, Liverpool, Glasgow, Swansea, Leeds, dhe Aberdeen. Më tej, anëtarët anti-Brexit pritet të organizojnë demonstrata në Amsterdam dhe Berlin.
Me bekimin e mbretëreshës Elizabeth II, Parlamenti do të pezullohet nga fillimi i muajit të ardhshëm deri në 14 tetor, duke u hequr deputetëve mundësinë për të debatuar dhe hartuar legjislacionin kundër mosmarrëveshjes dhe anti-Brexit dy javë para afatit të Brexit të vendosur nga Johnson të 31 tetor.
Kryeministri është zotuar të tërheqë Britaninë nga Bashkimi Evropian, pavarësisht nëse liderët e BE ndryshojnë kushtet e marrëveshjes së tyre apo jo.
Edhe pse Parlamenti zakonisht pezullohet për disa javë në vjeshtë, protestuesit janë përplasur me Johnson për zgjedhjen për ta bërë këtë në një moment të rëndësishëm për vendin, dhe kundër dëshirave të publikut. Më shumë se një milion britanikë nënshkruan një peticion kundër pezullimit të parlamentit.