Vendosni fjalën kyçe....

Vendi ka ecur veç mbrapsht


Nga Jana Nano*

Thjesht rastësisht, në fakt nga urimet e miqve, vura re që në profilin e Ministrisë së Diasporës, ndër shumë profilesh promovimi shqiptarësh në botë, ndodhej edhe imi (me një foto).

Ky akt është bërë totalisht pa marrë asnjë lloj aprovimi nga ana ime. Përveç shfryrjes së momentit sesi një faqe zyrtare e shtetit nuk njeh konceptet bazë të privatësisë individuale dhe nuk denjon as të dërgojë një mesazh aprovimi, një ulërimë e brendshme, e papërkufizueshme që më zgjati gjatë gjithë mbasdites më detyroi të ndaj me ju këto rreshta.

Kam rreth 8 vjet që kam ikur nga Shqipëria. Në atë kohë (studente në vitin e fundit të mjekësisë), kisha një entuziazëm dhe kuriozitet të përjetoja sa më shumë alternativa të tjera organizimi (më së shumti në kontekstin e arsimit, se ai ka qenë aktiviteti im kryesor), larg botës ku isha rrethuar. Në atë kohë, në statusin e studentit, ishim përpjekur të artikuloheshim kundër fillesave të kalbëzimit të sistemit. Por me një përqasje tmerrësisht naive, pa kuptuar sa të thella i paska patur rrënjët gangrena e arsimit shqiptar. Sot, nga skandalet e herëpashershme, protestat e studentëve, emigrimi masiv i të kualifikuarve, kuptoj që vendi ka ecur veç mbrapsht!

Ky është një zhgënjim i thellë dhe i trishtë!

Në këtë kontekst, kjo strategjia e Ministrisë së Diasporës me promovimin e Shqiptarëve në botë, më duket e dyfytyrë dhe e cekët!

E dyfytyrë sepse shumë prej këtyre njerëzve u larguan pasi nuk patën mundësi tjetër për të patur një jetë të denjë dhe të sigurtë. U larguan pasi vendi i tyre nuk ishte një opsion! Vendi i tyre nuk u dha as edhe një mundësi për të shprehur veten. Është shumë normale që njerëzit të lëvizin përgjatë jetës së tyre për të bërë eksperienca të reja pune a për të shijuar kultura të ndryshme jetese. Por ka një ndryshim të madh kur e bën këtë sepse vendi yt nuk të siguron nevojat bazike të një jete normale. Situata aktuale e Shqipërisë është reflektim i drejtpërdrejtë i politikave keqmenaxhuese dhe paaftësisë së drejtuesve.

E cekët, sepse aktivizon dhe stimulon ndjenjat demotivuese tek njerëzit, duke i bërë të mendojnë që andej jashtë Shqipërisë është toka e premtuar. Të vendosesh si i huaj në një vend të ri ka vështirësitë e veta. Nuk ke problemet primitive si në Shqipëri, por forma të tjera si p.sh duhet të punosh shumë për të fituar besimin e njerëzve, kërkon kohë të krijosh komunitetin tënd të njerëzve ku mund të mbështetesh pasi je totalisht vetëm, diferencat kulturore ose gjuha etj, gjëra që në vendin tend i merr të mirëqena. Të kërkohet të të regjet lëkura, me pak fjalë! Përse gjithë këtë energji të mos e japësh në vendin tënd? Hë pra, pse nuk krijoni kushtet që këta të rinj e të reja të lulëzojnë në vendin e tyre e jo gjetkë?

Prandaj, shut the f*** up!!!, kur promovoni njerëz, të cilët u larguan prej politikave tuaja të këqija! Ndihem e turpëruar për ju, që në padyfytyrësinë tuaj, krenoheni për një punë që nuk dhatë asnjë kontribut. Përkundrazi, vendi im është sot edhe më keq seç e kam lënë! Ju jeni arsyeja kryesore pse shqiptarët sot ndihen të palumtur në vendin e tyre dhe ndërmarrin kalvarin e mundimeve të pafundme të “kurbetit” me fëmijët backpak në shpatulla!

Të vetmit që duhen të ndihen krenarë janë Shqiptarët, të cilet kontribuan nga njëra anë me gjenet luftarake, e nga ana tjetër, me sakrificat e djersën e familjeve, me zemrat e copëtuara ndër kontinente!

Postimi i ministrit të qeverisë Rama, Pandeli Majko

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *