Një nga operacionet më të vështira antidrogë të DEA-s amerikane, që ka zgjatur më shumë se tre ditë ka përfunduar me arrestimin e 300 personave.
Mediat amerikane shkruajnë se agjentët federalë të drogës përfunduan operacionin “Cazador”, duke arrestuar gjithsej 300 vetë, si dhe duke sekuestruar mes të tjerash edhe avionë e jahte.
Mes të arrestuarve ka edhe të dyshuar si anëtarë të një karteli meksikan të drogës.
Një prej të arrestuarve ishte Thomas Renckley, 31 vjeç, i akuzuar si pronar i të ashtuquajturës “shtëpi e drogës”.
Agjentët thanë se në vendngjarje kanë gjetur armë dhe një pajisje shpërthyese.
Gjithashtu janë konfiskuar 600 paund heroinë, pilula opioide dhe fentanil.
Avionët e vegjël dhe jahti që ishin në mesin e pasurive të sekuestruara arrinin në shumën totale prej 3.3 milion dollarësh.