Një grua shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në Zvicër, pasi dyshohet se është vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj.
Gazeta “Blick”, shkruan se ngjarja ka ndodhur më 26 gusht, por u publikua në media ditën e sotme. 34-vjeçarja shqiptare e quajtur Luiza, i kishte kërkuar të shoqit divorcin.
Sipas gazetës, gruaja shqiptare vuante prej kohësh nga dhuna sistematike që bashkëshorti ushtronte ndaj saj, i cili e kërcënonte se do t’i vriste familjarët nëse ajo ndahej prej tij.
Çifti ishin prindër të katër fëmijëve, por për shkak të konflikteve mes tyre para një viti Luiza ishte transferuar në një tjetër apartament së bashku me fëmijët si dhe kishte marrë edhe urdhër mbrojtje. Por pavarësisht kësaj, ajo vazhdonte të kërcënohej nga i shoqi.
Shqiptarja, identiteti i plotë i së cilës nuk bëhet i ditur, u gjet në apartamentin e saj e mbuluar në gjak, për shkak të dhjetëra goditjeve me thikë.