Vendosni fjalën kyçe....

Lokali në “Bllok” përdorej për kokainë, në pranga 4, mes tyre pronari dhe administratori


Foto ilustruese

Arrestohen 4 persona, mes tyre pronari dhe administratori i një lokali në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë.

Të sekuestruara në një lokal të përshtatur  për përdorim lëndësh narkotike janë doza me lëndë narkotike si kokainë, fishekë luftarakë e një armë e ftohtë thikë.

“Seksioni i Narkotikëve finalizoi me sukses operacionin policor “BLLOKU”,  si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

O. P., 38 vjeç, per kryerjen e veprave penale ”Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim. (pronar i lokal ndodhur në zonën e ish-Bllokut).

A. A., 22 vjeç, për kryerjen e veprave penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim (Administrator i një lokali në zonën e ish-Bllokut.

A. Ll,, 30 vjeç, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”. (kamarier i lokalit).

E. H., 31 vjeç, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” (klient i lokalit).

Janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas për kryerjen e veprës penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe një shtetas tjetër për kryerjen e veprës penale ”Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe i municionit”.”, jep detaje policia.

Po si kanë arritur specialistët e policisë që të zbulojnë aktivitetin e paligjshëm?

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion se pronari i një lokali në zonën e ish-bllokut, shtetasi O. P. ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndës narkotike kokainë në doza të vogla klientëve të tij dhe për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal përdorte kamarierët dhe banakierët, të cilët mbanin kontakt të herëpashershëm me klientët e këtij lokali, për të mos rënë në sy.

Pas dokumentimit të këtij aktiviteti kriminal është siguruar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësore Tiranë lejimi i kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm të lokalit, dhe si rezultat i kontrollit të befasishëm u bë kapja në flagrancë e shtetasve të lartëpërmëndur duke tregtuar lëndë narkotike Kokainë.

Gjatë kontrollit të ushtuar, dy klientëve u është gjetur nga një dozë me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë. Po gjatë kontrollit në brendësi të lokalit, në pjesën e fundit të banakut, në një ambient të veçuar, me hyrje nëpërmjet banakut janë konstatuar mbetje lëndë pluhur e bardhë e dyshuar Kokainë, e sende të tjera që shërbejnë për mbajtjen dhe përdorimin e lëndës narkotike.

Në momentin e kontrollit nga Policia, kamarieri i lokalit shtetasi  A.LL ka hedhur në tokë një kuti shkrepse me katër doza kokainë

Në pjesën para banakut të lokalit është gjetur një qese brenda së ciles, ndodhet nje leje drejtimi me emrin e shtetasit E. H., dhe një thikë me palosje e cila ishte hedhur në dysheme  nga shtetasi E.H. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë luftarakë.”, jep detaje të mëtejshme policia.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *